
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një konferencë për media sapo të rikthehet në vend, pas akuzave të ngritura ndaj saj nga Richard Grenell, emisari i posaçëm i Donald Trump.
Grenell e akuzoi Osmanin se ka manipuluar deklaratat e presidentit amerikan, lidhur me rolin e tij në parandalimin e një lufte të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Trump ka deklaruar disa herë se, gjatë mandatit të tij, i ka bërë presion Serbisë për të shmangur një konflikt me Kosovën, madje duke përmendur edhe kërcënime me masa ekonomike ndaj Beogradit.
Deklarata e Trump u komentua edhe nga Osmani gjatë qëndrimit të saj në SHBA, ku ajo theksoi se bëhej fjalë për “zhvillime të fundit” dhe jo për ngjarje të kaluara.
Por sipas Grenell, kjo është “një përpjekje për të rishkruar historinë” dhe Osmani po i jep një interpretim të gabuar fjalëve të ish-presidentit amerikan.
Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, konfirmoi për mediat se Osmani do të sqarojë gjithçka përmes një daljeje zyrtare në ditët në vijim.