Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda, ka nisur seanca ndaj të akuzuarit Sërgjan Lazoviq, i cili po gjykohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998-1999, në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.
Gjatë seancës, dëshmitarët Ramadan Bacaj dhe Zaim Gashi rrëfyen për torturat fizike dhe psikologjike që pretendohet se u janë shkaktuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, ku pjesë e tyre ishte edhe i akuzuari Lazoviq. Dëshmitari Bacaj tregoi se më 3 shtator, ai dhe të tjerët ishin rrethuar nga forcat serbe dhe të ndarë nga gratë dhe fëmijët, më pas të çuar në shkollën e fshatit ku u mbajtën në kushte të rënda, pa ushqim dhe ujë. Ai përmendi se gjatë rrugës për në shkollë ishte maltretuar me kondak dhe shqelma.
Edhe dëshmitari Gashi përshkroi trajtimin dhunues, duke u shoqëruar nga policë, ushtarë dhe paraushtarakë në rrugëtimin drejt shkollës, dhe kërcënimet që kishte marrë.
Prokurori special Armend Zenelaj deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi do të dëgjohen dëshmitë e dhjetëra personave, të cilët do të paraqesin detajet e krimeve të kryera ndaj rreth 500 qytetarëve civilë shqiptarë. Sipas prokurorisë, popullsia civile ishte e detyruar të largohej nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve dhe pas bombardimeve të fshatrave, shumë prej tyre u arrestuan dhe u torturuan në mënyrë sistematike.
Ndërkaq, mbrojtësja e Lazoviq, avokatja Feride Xani, deklaroi se gjatë shqyrtimit do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj. I akuzuari Lazoviq u deklarua i pafajshëm edhe në seancën filestare më 4 dhjetor 2024 dhe ka mohuar çdo përfshirje në veprat penale që i ngarkohen.
Aktakuza e ngritur më 19 nëntor 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, akuzon Lazoviqin për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, duke përfshirë arrestime të kundërligjshme, keqtrajtime fizike dhe psikike, dëbime masive dhe shkatërrim prone të qytetarëve shqiptarë në Panorc dhe rrethinë.