
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kritikuar ashpër homologun e tij australian, Anthony Albanese, duke e cilësuar si “politikan të dobët” që ka “tradhtuar Izraelin” dhe ka “braktisur hebrenjtë e Australisë”.
Deklarata e tij vjen pas vendimit të Australisë për ta njohur shtetin palestinez dhe për t’ia anuluar vizën një ligjvënësi izraelit. Si kundërpërgjigje, Izraeli ka bllokuar vizat e diplomatëve australianë në Autoritetin Palestinez.
“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin”, shkroi Netanyahu në platformën X.
Këto tensione kanë përkeqësuar marrëdhëniet diplomatike, teksa Australia ka paralajmëruar se do ta mbështesë njohjen e shtetit palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Nga ana tjetër, Izraeli e sheh këtë hap si shpërblim për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën aktuale në Gazë, ku deri më tani janë vrarë mbi 62 mijë palestinezë sipas autoriteteve lokale.
Australia e ka cilësuar vendimin e Izraelit për ndalim vizash si “të paarsyeshëm”, ndërsa akuzat për izolim diplomatik ndaj qeverisë së Netanyahut po shtohen gjithnjë e më shumë.
KAQPATA