
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër në orën 10:30 për tentimin e 35-të me radhë për konstituimin e institucionit më të lartë legjislativ të vendit. Por pritshmëritë për sukses mbeten të ulëta, për shkak të mungesës së dakordësimit mes partive parlamentare.
Në seancat e mëparshme, të cilat nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, ka munguar mbështetja e mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili është i nevojshëm për të zhvilluar votimin për kryetaren e Kuvendit, post për të cilin është propozuar Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryesuesi i seancës, Dehari, ka ripërsëritur thirrjen për partitë opozitare që ende nuk kanë propozuar anëtarët e tyre për Komisionin zgjedhor – përkatësisht PDK, LDK, Listën Serbe dhe AAK-NISMA – që ta bëjnë këtë në mënyrë që procesi të ecë përpara. Megjithatë, as në seancën e fundit nuk pati propozime të reja.
Në votimin për përbërjen aktuale të Komisionit, që përfshin vetëm deputetët e propozuar më herët, morën pjesë 51 deputetë, ku vetëm njëri votoi kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Kjo shifër nuk mjafton për të çuar përpara procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Ngërçi institucional vazhdon të thellohet, ndërsa partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të qëllimshëm të procesit. Çdo përpjekje e re po shihet nga publiku si dëshmi e mungesës së vullnetit politik për zgjidhjen e krizës.
KAQPATA