
Një 29-vjeçare nga Washington DC i dha fund jetës në shkurt të këtij viti, pasi kishte përdorur për muaj të tërë një chatbot të inteligjencës artificiale si “terapist virtual”, pa dijeninë e familjes apo të terapistit të saj.
Sophie Rottenberg, e cila punonte në fushën e politikave shëndetësore, u gjet e pajetë më 4 shkurt në një park shtetëror. Hetimet zbuluan se për më shumë se pesë muaj ajo kishte biseduar fshehurazi me një version të personalizuar të ChatGPT, të cilin e quante “Harry”.
Nëna e saj, gazetarja Laura Reiley, tha se nuk kërkon të fajësojë teknologjinë, por kërkon masa më të forta mbrojtëse për përdoruesit vulnerabël.
“Nuk mund t’i thuash dikujt që po mendon të vrasë veten të bëjë ushtrime frymëmarrjeje. AI nuk është mik, nuk është terapist, nuk është njeri,” deklaroi ajo për mediat amerikane.
OpenAI ndërkohë ka bërë të ditur se po punon për mënyra që sistemi të dallojë raste krize dhe të reagojë ndryshe ndaj përdoruesve që shfaqin rrezik për jetën.
Familja e Sophie-s vendosi të ndajë historinë për të rritur ndërgjegjësimin mbi përdorimin e AI, sidomos tek të rinjtë që përballen me ankth, depresion apo ndjenja vetmie.
KAQPATA