Një nënë shqiptare me tre fëmijë është bërë gruaja e parë që ekstradohet nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë për të vuajtur një dënim me burg.
Sipas mediave britanike, 25-vjeçarja Lirie Delishi u urdhërua të kthehej në atdhe me vendim të gjyqtarit John Zani, i cili argumentoi se Britania nuk mund të bëhet “strehë e sigurt për kriminelët”, pavarësisht pretendimeve të saj për shkelje të të drejtave familjare.
Autoritetet shqiptare kishin kërkuar ekstradimin e saj për të vuajtur një dënim katërmujor, pasi në vitin 2019 u kap duke përdorur një pasaportë të rreme rumune gjatë një fluturimi nga Tirana drejt Romës.
Gjatë seancës në Londër, Delishi argumentoi se ndarja nga bashkëshorti Edmond dhe tre fëmijët e saj, përfshirë një foshnjë, do të kishte pasoja të rënda familjare. Por gjyqtari theksoi se “vështirësitë familjare nuk mjaftojnë për të ndaluar ekstradimin”.
Aktualisht, ajo ndodhet ende në Britani në pritje të apelimit, por pritet të vuajë dënimin në burgun e grave të Pojskës, në Pogradec. Delishi ka deklaruar se familja e saj është “e turpëruar” nga ngjarja, duke theksuar se nuk vjen nga një familje me probleme me ligjin.
KAQPATA