
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, ka bërë thirrje që Evropa të përshpejtojë përgatitjet për një konflikt të armatosur, duke paralajmëruar se kërcënimi nga Rusia është në rritje.
“Duhet të kalojmë nga një mentalitet në kohë paqeje në një gatishmëri në kohë lufte”, tha Jonson në Berlin, përpara një takimi me homologun gjerman Boris Pistorius.
Ai theksoi se Rusia po riarmatoset fuqishëm dhe po zhvillon një ushtri “më vdekjeprurëse” me armë me rreze të gjatë veprimi dhe teknologji të avancuar në luftën elektronike.
Jonson paralajmëroi kundër fragmentimit të investimeve në mbrojtje brenda NATO-s dhe kërkoi më shumë koordinim mes vendeve aleate.
Sipas tij, Suedia dhe Gjermania duhet të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje, duke promovuar standardizimin dhe kontratat afatgjata.
Suedia, e cila mbeti neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, vitin e kaluar iu bashkua NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës.
KAQPATA