
Milani po bën përpjekje të mëdha për të siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar Ardon Jashari nga Club Brugge, dhe sipas mediave italiane, çështja mund të përmbyllet për një shumë prej 35 milionë eurosh.
Sipas “Corriere dello Sport”, trajneri i ri i Milanit, Massimiliano Allegri, e ka veçuar Jasharin si objektivin kryesor për repartin e mesfushës dhe ka marrë rekomandime të fuqishme për të nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Mediat italiane raportojnë se është paraparë një takim i ri ndërmjet përfaqësuesve të Milanit dhe Club Brugge, ku pritet të afrohet një ofertë përfundimtare rreth shifrës 35 milionë euro – një kompromis mes kërkesës së belgëve dhe ofertës aktuale të “kuqezinjve”.
Vetë Jashari, i cili është pjesë e përfaqësueses së Zvicrës, ka shprehur publikisht dëshirën për t’u transferuar vetëm te Milani, pavarësisht interesimit të madh nga klubet si Manchester United, Manchester City dhe Borussia Dortmund.
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, pritet të intensifikojë negociatat dhe të paraqesë një ofertë të përmirësuar ekonomike në orët në vijim, me shpresën që Club Brugge do të japë dritën jeshile për transferimin.
Në rast se marrëveshja nuk finalizohet, Milani ka të gatshme dy alternativa: Javi Guerra i Valencias dhe shqiptari tjetër, Granit Xhaka i Bayer Leverkusenit.
Spanjolli vlerësohet në 25-27 milionë euro, për shkak të klauzolave të përqindjes së rishitjes që Valencia duhet t’i paguajë Villarrealit. Ndërkohë, për Xhakën, Milani ka ofruar 10 milionë euro – një shumë e konsideruar e pamjaftueshme nga Leverkuseni, që kërkon 15 milionë euro për kartonin e tij, pavarësisht moshës së avancuar të futbollistit.
Milani duket i vendosur që të përforcojë mesfushën këtë verë, me Ardon Jasharin në krye të listës së dëshirave të klubit.
KAQPATA