
Mijëra persona morën pjesë të hënën në varrimin e 12 zyrtarëve të lartë të Houthi-ve, mes tyre edhe kryeministri Ahmed Ghaleb al-Rahwi, të vrarë nga një sulm ajror izraelit javën e kaluar në Sana’a, kryeqytetin e Jemenit.
Ceremonia u zhvillua në xhaminë më të madhe të qytetit, ku të pranishmit brohoritën slogane kundër SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa Mohammed Miftah, i cili ka marrë drejtimin e përkohshëm të qeverisë së Houthi-ve, u zotua për hakmarrje dhe për një fushatë të brendshme kundër spiunëve.

Sulmi izraelit, i pari që synon udhëheqjen e lartë të lëvizjes, shkaktoi vdekjen e shumicës së anëtarëve të kabinetit. Ndërkohë, fati i ministrit të mbrojtjes Mohamed al-Atifi mbetet i paqartë, pasi ai nuk është shfaqur publikisht pas sulmit.
Izraeli ka deklaruar se objektivi i tij ishte shefi i shtabit dhe zyrtarë të tjerë kryesorë ushtarakë të Houthi-ve. Ky zhvillim vjen në një kohë kur grupi i mbështetur nga Irani ka intensifikuar sulmet kundër anijeve në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me Palestinën.
KAQPATA