Për herë të parë në botë, numri i fëmijëve obezë ka kaluar atë të fëmijëve nënpeshë, sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara.
Raporti i UNICEF-it thekson se 188 milionë fëmijë dhe adoleshentë në moshë shkollore vuajnë nga obeziteti – rreth një në dhjetë – duke rritur rrezikun për sëmundje kërcënuese për jetën dhe duke ndikuar në zhvillimin e tyre.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, paralajmëroi se ushqimet ultra të përpunuara po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë ushqimet e shëndetshme si frutat, perimet dhe proteinat, duke e bërë obezitetin shqetësimin kryesor global të kequshqyerjes.
Sipas raportit, 9.4% e fëmijëve nga 5 deri në 19 vjeç janë obezë, ndërsa 9.2% janë nënpeshë. Në vitin 2000, përqindja ishte ndryshe: 13% nën peshë dhe vetëm 3% obezë.
Obeziteti tashmë është forma më e përhapur e kequshqyerjes në të gjitha rajonet e botës, përveç Afrikës Subsahariane dhe Azisë Jugore.
Studimi, i bazuar në të dhëna nga mbi 190 vende, zbuloi gjithashtu se një në pesë fëmijë dhe adoleshentë është mbipeshë, me një rritje të shpejtë të atyre që bien në kategorinë e obezëve.
KAQPATA