
Gjatë një aksioni të gjerë inspektues, autoritetet kosovare kanë mbyllur përkohësisht 30 qendra masazhi dhe klube nate në të gjithë vendin. Operacioni është zhvilluar në mbi 100 biznese që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe argëtuese.
Në një komunikatë për media të premten, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) bëri të ditur se aksioni është kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe institucione të tjera relevante.
Gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 114 operatorë ekonomikë: 67 që operojnë si qendra masazhi dhe 47 të tjerë që ofrojnë aktivitete të natës dhe argëtimit.
Sipas MINT, mbyllja është bërë për shkak të mungesës së regjistrimit të bizneseve dhe mosplotësimit të kushteve teknike minimale për funksionim ligjor.
“Nga ky aksion janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese ndaj bizneseve që operonin në kundërshtim me ligjin,” thuhet në njoftim, pa specifikuar llojin e sanksioneve.
Inspektorati ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se ndaj çdo shkeljeje ligjore do të ndërmerren masa ndëshkuese për ndalim të aktivitetit.
Ky nuk është rasti i parë i ndërhyrjeve të tilla. Në dhjetorin e kaluar, autoritetet patën mbyllur përkohësisht 34 qendra masazhi dhe klube nate, ndërsa kishin arrestuar 28 persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme.
Ministria ka theksuar se qëllimi i këtyre aksioneve është të sigurohet rendi dhe ligjshmëria në sektorin e shërbimeve dhe argëtimit në të gjithë territorin e Kosovës.
KAQPATA