

Nuredin Lushtaku, ka reaguar ashpër pas një lajmi të publikuar nga televizioni Klan Kosova, të cilin e quan tendencioz dhe dezinformues.
Në një postim të drejtpërdrejtë, Lushtaku ka demantuar fuqishëm pretendimin se ai është kandidat i Nismës, duke theksuar se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë partie politike.
“Sot, Klan Kosova ka publikuar një lajm me titull të rremë: ‘Kandidati i Nismës, Lushtaku garon për kryetar të Skenderajt’. Dua ta bëj të qartë për qytetarët e Skenderajt dhe përkrahësit e Listës IDEAL – unë nuk jam, dhe asnjëherë nuk kam qenë, anëtar i Nismës,” shkruan Lushtaku.
Ai sqaron se në zgjedhjet nacionale, Lista IDEAL ka garuar si pjesë e një koalicioni të përbashkët me AAK-në dhe Nismën, por kjo nuk e bën atë pjesë të asnjë subjekti politik.
“Unë jam kandidat i Listës IDEAL – një listë e pavarur, e themeluar me Bekim Jasharin dhe me përkrahjen tuaj të sinqertë. Nuk përfaqësoj asnjë parti. Kjo është një përpjekje e qartë për të ngatërruar opinionin publik,” thekson ai.
Lushtaku shpreh bindjen se titulli i Klan Kosovës është i porositur, duke shtuar se edhe në vetë përmbajtjen e videos, gazetari e sqaron qartë se kandidatura e tij është nga Lista IDEAL.
Në fund, Lushtaku i bën thirrje publike televizionit që të korrigjojë menjëherë titullin dhe të kërkojë falje për dezinformimin që, sipas tij, është i qëllimshëm dhe dëmton integritetin e fushatës.