
Me rastin e Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 1 deri më 31 tetor do të funksionojë Mamografia Mobile në disa qytete të Kosovës.
Sipas njoftimit, njësia mobile do të vizitojë Fushë Kosovë, Drenas, Dragash, Mamushë, Novobërdë, Shtërpcë, Partesh, Ranillugë, Deçan, Junik, Suharekë, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot dhe Han të Elezit, nga ora 10:00 deri në 16:00, sipas datave të përcaktuara.
“Mamografia është metoda kryesore për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Si ekzaminim radiologjik, ajo ndihmon të identifikohen ndryshime shumë të vogla në indin e gjirit, shpesh para se të jenë të dukshme klinikisht. Zbulimi i hershëm rrit shanset për trajtim efektiv dhe ul vdekshmërinë nga kjo sëmundje”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Institucioni u bën thirrje grave mbi 40 vjeç, si dhe atyre me faktorë rreziku, që të shfrytëzojnë këtë mundësi për kontrolle falas, pasi mamografia është një procedurë e shpejtë dhe e sigurt.
KAQPATA