
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dorëzuar një notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, pas disa incidenteve me armë zjarri që dyshohet se kanë ardhur nga territori i Kosovës në drejtim të zonës së qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.
Në reagimin e ministrisë malazeze thuhet se është kërkuar nga autoritetet e Kosovës të identifikojnë autorët, t’i procedojnë ata dhe të informojnë Malin e Zi për masat e ndërmarra.
Sipas njoftimit, deri tani janë regjistruar dy raste të dëmtimeve në infrastrukturën e qendrës së skijimit – një në korrik të vitit të kaluar dhe një tjetër më 24 gusht të këtij viti. Në të dyja rastet, autoritetet malazeze dyshojnë se të shtënat kanë ardhur nga territori i Kosovës.
“Besojmë se rastet e izoluara nuk e reflektojnë përkushtimin e qartë të dy shteteve për bashkëpunim rajonal dhe përmirësim të marrëdhënieve bilaterale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka deklaruar se nuk ka informacion për incidente të tilla në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se fokusi i saj është tek ruajtja e rendit dhe qetësisë publike. Përgjigje mbi këtë çështje pritet edhe nga Policia qendrore dhe Qeveria e Kosovës.
Kosova dhe Mali i Zi në vitin 2015 nënshkruan Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit, e cila u ratifikua nga Mali i Zi në të njëjtin vit, ndërsa nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2018.
KAQPATA