
Veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, e cila lidhej me vizitat e zyrtarëve të PDK-së ndaj ish-krerëve të kësaj partie që po mbahen në Hagë – Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Kurti kishte sugjeruar se zyrtarët e PDK-së vizitojnë Thaçin dhe Veselin për të marrë instruksione politike, deklaratë që ka nxitur reagime të forta nga përkrahësit e tyre.
Në një postim të shkurtër, Mahmuti ka thënë se kjo deklaratë “çon ujë në mullirin e Prokurorisë” dhe i shërben justifikimit për mbajtjen në burg të dy ish-krerëve të UÇK-së.
“Denoncim i turpshëm publik që çon ujë në mullirin e Prokurorisë për të arsyetuar mbajtjen në burg të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit!”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Reagimi i Mahmutit vjen në një periudhë kur procesi gjyqësor në Hagë është ende në zhvillim dhe çdo deklaratë politike brenda vendit mund të përdoret si material nga Prokuroria Speciale.