
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar këtë të fundit për përdorim të gjuhës denigruese ndaj LDK-së. Në një intervistë për RTV21, Haziri tha se pavarësisht interesimit të partive për bashkëpunim me LDK-në, çdo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi mirëbesim të ndërsjellë për interesa të shtetit, e jo për kalkulime personale apo partiake.
“Kur nuk ke nevojë politike për dikë, e denigron dhe e nënvlerëson. Por në momentin që të duhet për ndërtimin e agjendës së përbashkët, papritmas e sheh si partner strategjik. Me LDK-në, Kosova mund të ecë përpara, por bashkëpunimi është proces dhe kërkon mirëbesim të sinqertë,” u shpreh Haziri.
Ai kritikoi gjithashtu Vetëvendosjen për mbajtjen e njëkohshme të posteve të deputetit dhe atyre qeveritare, duke e quajtur këtë sjellje me “dy standarde”. Haziri theksoi se problemet politike nuk mund të zgjidhen as nga Gjykata Kushtetuese nëse mungon vullneti politik.
“Partia e parë nuk po arrin të ndërtojë shumicë parlamentare dhe t’i japë funksionalitet institucioneve. Nuk mundet gjykata me zgjidhë problemet që i takojnë lidershipit politik. Ne si LDK nuk kemi kontestuar të drejtën e partisë fituese për të propozuar kryeparlamentarin, por ky është vetëm hapi i parë – duhet të sigurohet edhe shumica,” deklaroi Haziri.
Ai përfundoi se qeverisja nuk bëhet me deklarata mediatike, por me punë dhe përgjegjësi të përditshme në shërbim të qytetarit dhe të shtetit.
KAQPATA