Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë thirrje që sot vëmendja të përqendrohet në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë vit po mbahet në Londër.
Me frazën simbolike “Londra thërret”, ambasada theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe reformave që ndihmojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Sot, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor takohen në Londër për ngjarjen përmbyllëse të samitit të këtij viti. Ky bashkëpunim jo vetëm që forcon çdo vend në rajon, por i shërben edhe interesave të përbashkëta të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Një Ballkan Perëndimor i sigurt do të thotë një Europë e sigurt,” thuhet në reagimin e ambasadës.
Procesi i Berlinit, i nisur nga Gjermania në vitin 2014, ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe përgatitjen e tyre drejt anëtarësimit në BE, përmes reformave, marrëveshjeve për lëvizje të lirë dhe njohje të ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.
KAQPATA