
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar një takim të rëndësishëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilin e ka cilësuar si “jashtëzakonisht të mirë”.
Në deklaratën për media, Limaj tha se në takim u diskutuan të gjitha temat aktuale politike, përfshirë edhe idenë e formimit të një qeverie të unitetit apo bashkëpunimit ndërmjet partive që më parë kanë qenë në opozitë.
“Po, jemi takuar. Kemi pasur një bisedë shteruese për të gjitha zhvillimet politike, ekonomike dhe rajonale. Mund të them që ishte një takim jashtëzakonisht i mirë dhe do të kemi edhe të tjera në ditët në vijim”, u shpreh Limaj.
Ai theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët rreth sfidave që po kalon vendi.
“Është e rëndësishme që po ndodhin takime, sepse me një takim nuk zgjidhen gjërat. Por e rëndësishme është që të ketë vullnet dhe bashkëbisedim,” shtoi ai.
Ky takim vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë po përballet me paqartësi dhe dështime të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
KAQPATA