
Një aktivitet i pazakontë është vërejtur sot mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë, ku disa punëtorë janë parë duke aplikuar shirita të verdhë në të dyja anët dhe në mes të asfaltit. Këto veprime kanë ngjallur pikëpyetje mbi natyrën e testimeve që po zhvillohen dhe institucionin që qëndron pas tyre.
Sipas raportimeve të mediumit lokal “KoSSev”, që citon burime jozyrtare, këto testime mund të jenë të ngjashme me ato të një viti më parë, kur ishte verifikuar qëndrueshmëria e urës përmes mjeteve të rënda, përfshirë edhe kamionë të ngarkuar.
Burime të paidentifikuara të KFOR-it kanë sugjeruar se pas këtij testi mund të qëndrojë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, megjithatë deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga kjo zyrë apo institucionet vendore.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur ura mbetet simbolikisht dhe praktikisht një nga pikat më të ndjeshme të ndarjes mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, duke ngritur pyetje mbi qëllimin e këtyre testimeve dhe ndikimin e tyre të mundshëm në dinamikat politike e të sigurisë në veri të vendit.
KAQPATA