
Përkundër interesimit të madh nga skuadra e Milanit për transferimin e Granit Xhakës këtë verë, drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë negociatë me klubin italian dhe se mesfushori shqiptar nga Zvicra mbetet pjesë kyçe e projektit të klubit gjerman.
“Ndonjëherë është mirë të qëndrojmë tek faktet. Ka pasur shumë spekulime për një kalim të mundshëm të Xhakës te Milani, por realiteti është se nuk ka pasur asnjë bisedim. Pas ndeshjes sonë të fundit në Mainz, i thashë Granitit se është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne – dhe kjo nuk ka ndryshuar”, deklaroi Rolfes për gazetën gjermane Kölner Stadt-Anzeiger.
Pavarësisht këtyre deklaratave, vetë Xhaka më herët kishte shprehur dëshirën për t’u bashkuar me Milanin, klub që ka fituar shtatë herë Ligën e Kampionëve. Por oferta e klubit italian nuk ka qenë e mjaftueshme për ta bindur Leverkusenin që ta lëshojë.
Largimi i disa prej yjeve të ekipit dhe i trajnerit Xabi Alonso ka shtuar zërat për një largim të mundshëm të Xhakës. Megjithatë, trajneri i sapoemëruar, Erik ten Hag, raportohet se dëshiron të ndërtojë ekipin rreth reprezentuesit të Zvicrës, i cili sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës në Bundesligë dhe në Ligën e Europës.
Për momentin, Leverkuseni po mban një qëndrim të prerë: Xhaka nuk është në shitje. Por merkatoja verore është ende në fillim, dhe gjithçka mbetet e hapur në muajt në vijim.
KAQPATA