
Aktori i dashur që na bëri të qeshnim për dekada, u shua në moshën 74-vjeçare në Romë
Bota e kinemasë italiane është në zi. Alvaro Vitali, një nga figurat më të dashura dhe ikonike të komedisë italiane, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare. Aktori ndërroi jetë pasditen e 25 qershorit në banesën e tij në Romë, pasi kishte vuajtur nga bronkopneumonia.
I njohur për rolin e tij legjendar si Pierino, Vitali u shndërrua në një simbol të humorit të viteve ’70 dhe ’80, duke fituar zemrat e italianëve dhe publikut ndërkombëtar.
Një karrierë që nisi me Fellinin
I lindur më 3 shkurt 1950, në zemër të Romës, Alvaro Vitali nisi rrugëtimin e tij në kinematografi falë mjeshtrit Federico Fellini, i cili e përfshiu në filmat “Fellini Satyricon”, “I Clowns” dhe “Roma”. Por ishin filmat komikë të mëvonshëm që e ngritën Vitalin në piedestal.
Ai bashkëpunoi me yje si Lino Banfi, Edwige Fenech dhe Renzo Montagnani, duke sjellë në ekran role plot humor, ironi dhe sharm të pakrahasueshëm.
Nga Pierino në ikonë televizive
Edhe pse roli i Pierinos e shoqëroi gjatë gjithë jetës, Vitali nuk mbeti i kufizuar vetëm në kinematografi. Në vitet e fundit, ai u bë një figurë shumë e dashur edhe në televizion, përmes imitimit të Jean Todt në programin e njohur “Striscia la Notizia”.
Lajmi për ndarjen e tij ka tronditur shumë kolegë, artistë dhe fansa, që e kujtojnë si një njeri të mirë, plot energji pozitive dhe humor të natyrshëm.
KAQPATA