
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për herë të 37-të me radhë në përpjekje për të konstituar institucionin më të lartë legjislativ të vendit. Ngërçi vazhdon të mbetet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun — një emër që po kundërshtohet fuqishëm nga subjektet tjera politike, të cilat e cilësojnë si figurë përçarëse.
Pas një sërë përpjekjesh të pasuksesshme, VV ka propozuar që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Por kjo iniciativë nuk po gjen përkrahje nga partitë opozitare. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar asnjë anëtar për Komisionin për votim të fshehtë, duke pamundësuar kështu krijimin e kuorumit të nevojshëm për miratim.
Në seancën e fundit, përpjekja për ta kaluar këtë propozim u rrëzua sërish: “Me 53 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje”.
Një situatë e ngjashme pritet edhe sot. Seanca është paraparë të fillojë në orën 11:00.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj ndaj sjelljes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe përdhosje të institucioneve.
“Jemi lodhur duke ia lëshuar rrugën Albin Kurtit, i cili sillet me logjikën e votave të vitit 2021 dhe vazhdon të abuzojë me përgjegjësinë institucionale,” ka thënë ajo.
Sipas saj, nëse LDK do të ishte në pozitën e VV-së, institucionet tashmë do të ishin konstituar. Ajo shtoi se sjellja e Vetëvendosjes është kontradiktore: “Paradite shajnë dhe ofendojnë, ndërsa pasdite dërgojnë letra për bashkëpunim.”
Ngërçi politik i Kosovës vazhdon të thellohet, ndërsa qytetarët mbeten dëshmitarë të një stagnimi institucional pa precedent.