
Një incident i rëndë ka ndodhur sot në ambientet e Postës së Kosovës në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku Kushtrim Geci, djali i Sabit Gecit, dyshohet se ka therur me thikë kolegun e tij të punës, Sadri Shala, anëtar i Kryesisë së PDK-së në Lipjan.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 paradite dhe është cilësuar si “lëndim i rëndë trupor” nga Policia e Kosovës. Viktima ka marrë plagë në dorë dhe është dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa i dyshuari është arratisur dhe është në kërkim policor.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi se janë duke u zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Kushtrim Geci është emër i njohur për organet e rendit. Ai dhe vëllai i tij, Albani, dyshohet se janë përfshirë në disa incidente të mëparshme penale, përfshirë një therje të dy aktivistëve të Vetëvendosjes në vitin 2015 dhe një kërcënim me thikë ndaj një polici në Prishtinë.
Policia vazhdon kërkimet për kapjen e të dyshuarit.
KAQPATA