
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili u zotua për t’u riangazhuar në dialogun Kosovë–Serbi dhe për të shtyrë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në një deklaratë për media, Kurti u shpreh se normalizimi nuk mund të ndodhë pa përmbushjen e obligimeve nga ana e Serbisë, ndërsa theksoi se Beogradi po shkel marrëveshjen bazike, të arritur më 2023 në Bruksel.
“Hapi i parë i domosdoshëm është dorëzimi i Milan Radojçiqit, kryekriminelit që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, heroin tonë Afrim Bunjaku,” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Serbia duhet jo vetëm ta dorëzojë Radojçiqin, por edhe të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes bazike me aneksin e zbatimit, si dhe të tërheqë letrën e dërguar nga ish-kryeministrja Ana Brnabiq në dhjetor 2023, në të cilën thuhej se Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet. Për të ecur përpara duhet veprim konkret nga Beogradi,” theksoi Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës vlerësoi lart angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar si aleatin kryesor, partner të pazëvendësueshëm dhe mik të veçantë, veçanërisht në tri fusha thelbësore: mbrojtjen, diplomacinë dhe zhvillimin.
“Besoj në mundësinë e normalizimit, por trysnia duhet të jetë mbi Beogradin. Roli i SHBA-së është thelbësor dhe gjithmonë i mirëpritur,” përfundoi Kurti.
Kujtojmë se Milan Radojçiq është i akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për të, ende nuk ka pasur ndonjë hap konkret nga autoritetet serbe për ekstradim apo ndjekje penale.
KAQPATA