Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me kongresistin republikan Keith Self, i cili u zhvillua në ambientet e Konsullatës së Kosovës në New York.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, me fokus në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në forcimin e këtyre lidhjeve.
Kurti e njoftoi kongresistin Self për investimet e qeverisë në kapacitetet profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë pajisjet dhe armatimin e siguruar nga SHBA. Ai përmendi gjithashtu vendimet e fundit të qeverisë, si heqja e tarifës doganore për produktet amerikane, pranimi i përkohshëm i shtetasve të vendeve të treta dhe vazhdimi i programit MCC Compact.
Kryeministri theksoi rolin kyç të diasporës shqiptare në SHBA, jo vetëm në mbajtjen e lidhjeve mes dy vendeve, por edhe në nxitjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Ai e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për mbështetjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe strukturat e tjera euroatlantike.
Kurti po qëndron në New York për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
KAQPATA