
Pak orë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka publikuar një përmbledhje mbi rastet e arrestimeve për spiunazh që kanë ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Në një deklaratë publike, ai ka lavdëruar punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë dhe Prokurorisë, duke theksuar sukseset në përballjen me rrjetet e inteligjencës serbe.
Sipas Kurtit, pesë persona – tre shqiptarë dhe dy serbë – janë arrestuar për bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA). Ai thekson se këto operacione kanë qenë rezultat i angazhimit dhe efikasitetit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
“Rastet përfshijnë përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit,” shkroi Kurti.
Ai shtoi se një nga të dyshuarit, me inicialet A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me dëshmitë.
Kurti nënvizoi efikasitetin e AKI-së dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të mbrojtjes së rendit kushtetues dhe sovranitetit të shtetit.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të angazhuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo kërcënimi, duke theksuar se këto raste duhet të shërbejnë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

KAQPATA