
Netflix rrezikon të humbasë ekipin kreativ pas njërës prej serive më të mëdha të saj. Sipas Variety, Matt dhe Ross Duffer – vëllezërit që krijuan hitin global “Stranger Things” – janë në bisedime të avancuara për të nënshkruar një marrëveshje ekskluzive me Paramount, tashmë nën pronësinë e Skydance të David Ellison.
Gazetari Matthew Belloni nga Puck raportoi se Duffer-ët “kanë marrë vendimin” dhe do t’i bashkohen Paramount-it.
Me çdo sezon të “Stranger Things”, ambicia e tyre është rritur – episodet janë bërë më të gjata, skenat më spektakolare dhe buxheti gjithnjë e më i lartë. Vetëm sezoni i katërt raportohet se ka kushtuar rreth 30 milionë dollarë për episod. Tashmë, vëllezërit Duffer synojnë projekte filmike me buxhet të madh, një fushë ku Netflix ka hasur vështirësi për shkak të mospërputhjes me biznesin kinematografik.
Ndryshe nga Paramount, Netflix rrallëherë ofron një periudhë të gjatë ekskluzive në kinema përpara se filmat të publikohen në platformë, gjë që i ka penguar filmat e tij të shfaqen në sallat kryesore. Ky ishte një kusht edhe për Greta Gerwig, regjisorja e “Barbie”, e cila arriti marrëveshje që filmi i parë i sagës “Narnia” për Netflix të shfaqet fillimisht vetëm në IMAX për dy javë, para premierës në streaming më 25 dhjetor 2026.
Raportimet thonë se pikërisht ky “komponent kinematografik” ishte vendimtar për Duffer-ët në negociatat e tyre.
Megjithatë, mungesa e tyre nuk do të ndihet menjëherë. Netflix pritet të publikojë sezonin final të “Stranger Things” këtë vit në tre pjesë, ndërsa dy projekte të reja nga Duffer-ët janë planifikuar për vitin 2026. Për më tepër, universi i “Stranger Things” vazhdon të zgjerohet me një prequel në Broadway, një serial të animuar dhe një spinoff live action.
KAQPATA