Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar raportin preliminar për monitorimin e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) gjatë fushatës për Zgjedhjet Lokale 2025. Monitorimi u zhvillua nga 13 shtator deri më 12 tetor 2025 dhe synonte vlerësimin e performancës së mediave në përputhje me ligjin për zgjedhjet dhe rregulloret e KPM-së.
Sipas raportit, monitorimi përfshiu transmetimet tokësore me mbulim nacional, regjional dhe lokal, duke vlerësuar periudhën nga ora 12:00 deri në 24:00. U morën parasysh dispozitat ligjore për qasje të drejtë dhe të paanshme, mbrojtjen e fëmijëve, komunikimet komerciale, si dhe respektimin e Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale.
Rezultatet treguan se shumica e mediave ofruan hapësirë dhe mbuluan aktivitetet e subjekteve politike, por u gjetën shkelje si: mosidentifikimi i reklamave politike, përdorimi i gjuhës fyese, përfshirja e fëmijëve në spote politike, mosrespektimi i heshtjes zgjedhore, sponsorizim i paautorizuar i emisioneve politike, publikimi i sondazheve pa kriter dhe nxitja e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare.
KPM njofton se veprimet për shkeljet janë ndërmarrë, duke përfshirë njoftime dhe adresim institucional, ndërsa raporti final do të përfshijë shqyrtimin dhe analizën përfundimtare të të gjitha shkeljeve të identifikuara.
Raporti thekson rëndësinë e monitorimit të mediave për të garantuar trajtim të barabartë dhe respektimin e ligjit gjatë proceseve zgjedhore.
KAQPATA