
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë kryesimin e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore të Mediave (MNRA), duke u bërë nikoqir i Asamblesë së 24-të Plenare të këtij rrjeti që po mbahet më 2–3 tetor në Prishtinë.
Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, mori presidencën e MNRA-së nga homologu i tij nga Armenia, Higran Hakobyan, duke vendosur Kosovën në qendër të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal në fushën e rregullimit të mediave.
Me këtë rast, Berisha theksoi se prioriteti kryesor i institucionit është forcimi i pavarësisë së rregullatorit dhe nxitja e gazetarisë konstruktive.
“Mediat nuk duhet të krijojnë vizionin e paqes së rreme, as të përhapin frikë. Roli ynë është të informojmë, por edhe të zgjerojmë perspektivat. Gazetaria duhet të synojë mirëkuptimin dhe fuqizimin e qytetarëve, jo vetëm lajme sensacionale. Forcimi i pavarësisë së rregullatorit është përgjegjësi e përbashkët – e qeverive, e mediave, e shoqërisë civile dhe e qytetarëve”, tha Berisha.
Në konferencë po marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve rregullatore nga rajoni i Mesdheut, gazetarë, akademikë, psikologë dhe organizata të shoqërisë civile.
KAQPATA