
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike organizoi një takim me të moshuar, ku u diskutua rëndësia e përvojës së tyre në shoqëri. Përfaqësues nga IKSHPK, Ministria e Shëndetësisë dhe organizata joqeveritare theksuan nevojën e kujdesit të shtuar për këtë grupmoshë.
Drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, tha se popullsia në moshë të shtyrë është në rritje edhe në Kosovë, duke kërkuar politika më të avancuara për kujdes shëndetësor dhe social. “Të kujdesemi për ata që dikur kujdeseshin për ne është mirënjohje dhe nder”, u shpreh ajo.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Shaban Osmanaj, tha se 11% e popullsisë në Kosovë janë mbi 65 vjeç dhe se institucionet janë të përkushtuara për të garantuar kujdes cilësor e dinjitoz për këtë kategori.
Ndërkohë, Visare Mujko Nimani nga UNFPA theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të të moshuarve, sidomos atyre me aftësi të kufizuara, duke kërkuar më shumë shërbime parandaluese dhe kujdes afatgjatë.
Kjo ditë, e cila shënohet tash e 13 vite në Kosovë, vlerëson rolin e të moshuarve si bartës të përvojës dhe udhërrëfyes për brezat e rinj.
/ KAQPATA /