
Bashkimi Evropian ka shpërndarë këstin e parë të fondeve në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por Kosova ka mbetur jashtë listës së përfituesve për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional dhe pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjen për kredi me BE-në.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka përfituar mbi 64.5 milionë euro, ndërkohë që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë pjesën e tyre që nga muaji mars dhe maj. Serbia, ndërkaq, ka përfituar 51.7 milionë euro në formë kredie të butë dhe edhe 59 milionë euro shtesë në grante dhe kredi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Megjithëse Kosova pritet të përfitojë deri në 882 milionë euro deri në vitin 2027 – që është shuma më e madhe për kokë banori në rajon – pagesa e parë prej 61 milionë eurosh nuk është bërë, për shkak të bllokimit institucional dhe mungesës së kuorumit për ratifikimin e marrëveshjes, e cila kërkon dy të tretat e votave në Kuvend.
Plani i Rritjes i BE-së parasheh mbështetje për mbi 30 reforma dhe 100 aktivitete që lidhen me tranzicionin energjetik e digjital, zhvillimin e sektorit privat, sundimin e ligjit, si dhe forcimin e kapitalit njerëzor. Fondet do të shpërndahen dy herë në vit, por përfitimi i tyre kushtëzohet me përmbushjen e reformave dhe avancimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ky zhvillim pritet të nxisë debat të gjerë në opinionin publik, ndërsa BE ka theksuar se Kosova duhet të zhbllokojë sa më shpejt institucionet në mënyrë që të mos humbasë përfitimet nga një prej instrumenteve më të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.
KAQPATA