
Me fillimin e heqjes graduale të masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, Kosova ka siguruar fonde nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), njoftojnë zyrtarët e qeverisë në detyrë.
Sipas qeverisë, rifillimi i takimeve në kuadër të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) ka mundësuar miratimin e projekteve në fusha si energjia dhe digjitalizimi, për të cilat Kosova kishte aplikuar më parë.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023 pas tensioneve në veri të vendit, dhe fillimi i heqjes së tyre nisi në korrik të këtij viti, sipas paralajmërimit të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Klisman Kadiu, tha për KosovaPress se BE-ja ka zhbllokuar fonde dhe ka aprovuar projekte të reja. Ai shtoi se Kosova ka përmbushur të gjitha hapat e kërkuar për heqjen e masave dhe se Bashkimi Evropian duhet të finalizojë procesin sa më shpejt.
“Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se masat e padrejta të vendosura ndaj vendit duhet të hiqen në tërësi e sa më parë,” deklaroi Kadiu.
Nga ana tjetër, analisti Visar Imeri theksoi se vendi po humb shumë për shkak të masave. “Paratë që duhej të investoheshin që në vitin e kaluar, tani po mbeten të bllokuara, duke shkaktuar stagnim ekonomik. Përveç kësaj, Kosova po humb mundësinë për të përfituar fonde nga Plani i Rritjes së BE-së për shkak të institucioneve jo funksionale,” tha Imeri.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se masat e vendosura nga BE-ja për periudhën qershor 2023 – prill 2025 kanë shkaktuar një kosto prej 613.4 milionë euro.