
Për herë të parë, Kosova është bërë nikoqire e Konferencës së 41-të të Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), një ngjarje me rëndësi të veçantë për rininë dhe integrimin evropian. Në prag të kësaj konference, sot është mbajtur një konferencë për media ku u theksua rëndësia që mbart ky organizim për vendin dhe të rinjtë e Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, tha se kjo konferencë është një dëshmi konkrete që Kosova po tregohet një partnere e denjë në përpjekjet evropiane për zhvillimin e politikave rinore dhe shkëmbimeve ndërkombëtare. “Kosova po e tregon veten si partnere e denjë në përpjekjet evropiane për të rinjtë,” theksoi ai.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i EYCA-s, Manel Sanchez, falënderoi Ministrinë për bashkëpunimin dhe theksoi se kjo konferencë jo vetëm që rrit profilin e Kosovës në Evropë, por edhe i jep një shtysë të fortë njohjes së potencialit kulturor dhe rinor që vendi ofron.
EYCA përfaqëson 38 shtete anëtare dhe lëshon Kartën Evropiane për të Rinj – një instrument që u ofron të rinjve nën moshën 30 vjeç përfitime dhe lehtësira të shumta në fushat e edukimit, kulturës, transportit dhe shërbimeve të tjera. Kosova u bë anëtare e plotë e EYCA në dhjetor të vitit 2023 dhe këtë vit ka nderin të mirëpresë përfaqësues nga e gjithë Evropa në këtë konferencë të rëndësishme.
Ngjarja konsiderohet një hap i madh për përfshirjen aktive të të rinjve kosovarë në rrjetin evropian dhe një platformë e re për bashkëpunime të reja dhe zhvillim të politikave të qëndrueshme rinore.
KAQPATA