
Institucioni i Operës së Kosovës ka nderin të prezantojë koncertin “Kosova në Tinguj”, që do të mbahet të enjten, më 26 qershor 2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, me fillim nga ora 18:00.
Ky koncert përfaqëson një përkushtim të veçantë ndaj krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë, duke sjellë në skenë përpunime të veprave të tyre për zë dhe orkestër harkore. Përmes një programi të zgjedhur, publikut do t’i ofrohet një përjetim muzikor i rrënjosur në trashëgiminë tonë kulturore.
Nën dirigjimin e maestro Edon Ramadani, në këtë mbrëmje të veçantë do të performojnë tri soprano të njohura të skenës sonë muzikore: Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani.
Programi pasurohet edhe me interpretime solistike nga dy instrumentistë të dalluar: Ëmbla Dana në flaut dhe Lum Haxhijakupi në klarinetë, duke sjellë dimensione të reja në tingujt e koncertit.
“Kosova në Tinguj” vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Operës së Kosovës në promovimin e repertorit kombëtar dhe afirmimin e vlerave muzikore brenda skenës kulturore institucionale. Koncerti konsiderohet një mundësi e veçantë për publikun që të lidhet me trashëgiminë tonë muzikore në një formë bashkëkohore dhe profesionale.
KAQPATA