
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 580 mijë euro për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut në Preshevë, komunë me shumicë shqiptare në Serbi.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar se vendimi është marrë pas kërkesës së Komunës së Preshevës dhe në bazë të dakordimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginë.
Sipas Çekut, kjo është një nga investimet më të rëndësishme për jetën kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri më tani 28 projekte përmes Këshillit Kombëtar dhe 21 projekte të tjera përmes Ministrisë së Kulturës në këtë rajon.
Më 27 qershor, u ndanë edhe 626 mijë euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit për shqiptarët në Luginë, duke përfshirë bursa për studentë, ndihmë për nxënësit dhe mbështetje për aktivitetet ndërkombëtare.
Në tetor 2024, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte akuzuar Serbinë se po tenton të pengojë ndihmën financiare të Kosovës për bujqit shqiptarë në këtë rajon, duke kërkuar anulimin e subvencioneve.
Ndërkohë, Serbia vazhdon të financojë institucionet në zonat me shumicë serbe në Kosovë, megjithëse shumë prej tyre janë mbyllur nga autoritetet kosovare vitin e kaluar, për shkak se konsiderohen të paligjshme dhe paralele.
KAQPATA