
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot me nderime ushtarake në Hungari nga homologu i saj, Presidenti Tamás Sulyok.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani e ka cilësuar këtë si një vizitë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Hungarisë:
“Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë.” – ka shkruar ajo.
Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Osmani dhe Sulyok zhvilluan një takim kokë më kokë, për të vazhduar më pas me bisedime mes delegacioneve të të dyja shteteve. Gjatë vizitës, presidenti Sulyok shtroi një drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në Pallatin Presidencial “Sándor”.
Në agjendën e vizitës zyrtare përfshihen edhe takime me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, László Kövér, si dhe me Odën Ekonomike në Hungari.
Ndërkohë, Presidentja Osmani do të mbajë edhe një ligjëratë të hapur për studentët dhe profesorët e Universitetit “Eötvös Loránd”, me temën:
“Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara” – ku do të prezantojë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, me fokus integrimin euroatlantik.
KAQPATA