
Në një kohë kur suplementet, shakët e proteinës dhe ushtrimet për muskuj janë kthyer në modë, shumë njerëz bien në kurthin e një miti të zakonshëm: “Sa më shumë proteinë, aq më mirë”. Por a është kjo e vërtetë?
Ekspertët thonë se megjithëse proteina është thelbësore për një organizëm të shëndetshëm, konsumimi i tepërt i saj sidomos nga burime jo të balancuara, mund të sjellë më shumë dëm sesa dobi.
Çfarë ndodh kur e teprojmë me proteinën?
Konsumimi i tepërt i proteinës lodh veshkat
Nëse konsumoni më shumë se 2 gramë proteinë për kilogram të peshës trupore në ditë (p.sh. mbi 140g për një person 70 kg), veshkat tuaja punojnë më shumë për të përpunuar mbetjet. Kjo, me kalimin e kohës, mund të rrezikojë shëndetin e tyre, sidomos tek personat me diabet apo tension të lartë.
Më shumë proteinë nuk do të thotë më shumë muskuj
Trupi mund të përdorë vetëm rreth 0.4g proteinë për kg peshë trupore në një vakt për ndërtimin e muskujve. Pjesa tjetër nuk kthehet në muskuj – por digjet ose largohet si mbetje.
Rrëmujë në sistemin tretës nga proteinat shtesë
Dieta me shumë mish mund të prishë ekuilibrin e baktereve të mira në zorrë, duke sjellë inflamacion dhe rrezik për sëmundje si IBD (Sëmundja Inflamatore e Zorrëve).
Proteina e tepërt = më pak lëndë ushqyese të tjera
Kur ushqimi përqendrohet vetëm tek proteina, shpesh anashkalohen frutat, perimet, drithërat dhe yndyrnat e shëndetshme. Kjo sjell mungesë të vitaminave, mineraleve dhe fibrave që trupi ka po aq nevojë.
Sa proteina i duhen vërtet trupit tënd?
Sasia e duhur e proteinës nuk është e njëjtë për të gjithë – ajo varet nga:
- Niveli i aktivitetit fizik – Sa më aktiv të jesh, aq më shumë proteinë kërkon trupi yt.
- Mosha – Personat e moshuar kanë nevojë për më shumë proteinë për të ruajtur masën muskulore.
- Qëllimi personal – Nëse po përpiqesh të humbasësh peshë apo të ndërtosh muskuj, kërkesat rriten.
- Përbërja trupore – Sa më shumë muskuj të kesh, aq më shumë proteinë të duhet për mirëmbajtje dhe rritje.
Për shumicën e njerëzve, një dietë e ekuilibruar me burime të ndryshme proteinash është më se e mjaftueshme.
Sasia s’është gjithçka – rëndësi ka cilësia e proteinës
Jo të gjitha proteinat janë të njëjta! Disa sjellin përfitime të mëdha për shëndetin, ndërsa të tjerat – veçanërisht të përpunuarat – mund të dëmtojnë nëse konsumohen tepër.
Zgjedh më të mirat:
- Mish të bardhë (p.sh. pulë) ose peshk
- Produkte qumështi me pak yndyrë (kos, djathë, qumësht)
- Bishtajore (qiqra, thjerrëza, fasule)
- Arra dhe fara
Shmang:
- Mish të përpunuar në sasi të mëdha (sallamë, proshuta, hot dog)
- Suplementet e proteinës pa kontroll mjekësor
Proteina është thelbësore për shëndetin, por nuk duhet teprohet. Rruga drejt një trupit të fortë dhe të balancuar nuk kalon vetëm përmes pluhurave të proteinës apo shakëve të reklamuar, por përmes një diete të ekuilibruar, aktivitetit të rregullt fizik dhe kujdesit ndaj cilësisë së ushqimit.
Në vend që të pyesim “A duhet të ha më shumë proteinë?”, pyetja që ia vlen të bëjmë është:
“Sa proteinë më duhet realisht për trupin dhe qëllimet e mia?”
KAQPATA