
Një kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore ndaj zyrtarëve të Komunës së Lipjanit, për shkelje të rënda procedurale dhe përfshirje në konflikt të pastër interesi gjatë një procesi të punësimit publik.
Denoncimi është bërë nga deputeti i Kuvendit Komunal nga rradhët e PDK-së Arsim Jashari, i cili ka reaguar fuqishëm pas veprimeve të cilësuara si të njëanshme dhe të motivuara nga interesa personale brenda administratës komunale.
“Kam kërkuar me mirësi respektimin e ligjit. Por, për fat të keq, interesi personal ka mbizotëruar mbi çdo normë ligjore dhe mbi të drejtën e qytetarit,” deklaron Jashari.
Ai ka paralajmëruar se është në përgatitje edhe të dy kallëzimeve të tjera, të cilat pritet të dorëzohen sapo të përmbyllen dokumentet zyrtare.
“Askush nuk është mbi ligjin. Unë do të vazhdoj të jem në krah të qytetarit – pa dallim, pa frikë dhe pa kompromis,” theksoi ai.
Ky veprim i fortë ligjor vjen në një periudhë kur besimi i qytetarëve në proceset e punësimit në institucione publike është në rënie të lirë, për shkak të skandaleve të përsëritura dhe mungesës së transparencës.
Dosja penale tashmë është në duart e Prokurorisë, e cila pritet të hetojë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast.
KAQPATA