Në tenderin për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës në Mal të Zi janë paraqitur katër ofertues: kompania kineze CCCC dhe tre konsorciume, dy kineze dhe një turko-azerbajxhanas. Vëmendje të madhe ka marrë pjesëmarrja e CCCC, kompani e sanksionuar nga SHBA-ja që nga viti 2020 për lidhje me ushtrinë kineze dhe përfshirje në projekte me dyshime për korrupsion.
Seksioni i ri i autostradës nga Mateševa në Andrijevicë pritet të nisë ndërtimin në fund të vitit dhe të zgjasë pesë vjet. Projekti vlerësohet në 600 milionë euro, prej të cilave 150 milionë janë fonde të BE-së, 250 milionë nga buxheti i Malit të Zi dhe 200 milionë kredi nga BERZH.
CCCC ka qenë e përfshirë në projekte të mëdha në rajon, përfshirë autostradën E-763 dhe hekurudhën Beograd–Suboticë, ku një pjesë e stacionit të Novi Sadit u shemb në vitin 2024 duke shkaktuar 16 viktima. Kompania ka pasur gjithashtu probleme me transparencën, vonesat dhe bashkëpunimet me kompani të sanksionuara në Serbi.
Krahas saj, në tender garojnë edhe dy konsorciume kineze dhe një konsorcium turko-azerbajxhanas Cengiz–AzVirt, të përfshirë ndër vite në projekte të shumta infrastrukturore në rajon, shpesh të shoqëruara me kritika për vonesa dhe shkelje kontratash.
Autoritetet malazeze pritet të vendosin fituesin e tenderit pas vlerësimit teknik dhe financiar të ofertave. Projekti është një nga më të mëdhenjtë infrastrukturore në vend dhe i monitoruar nga afër nga BE-ja për shkak të historikut të mëparshëm të autostradës Bar–Bolare, e ndërtuar nga kompania kinze CRBC.
KAQPATA