
Komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, gjeneral major Enrico Barduani, ka deklaruar se Serbia i ka të qarta “vijat e kuqe” në Kosovë, të përcaktuara në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999 mes NATO-s dhe Serbisë.
“…fatkeqësisht, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë bërë përparim të dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve të tyre për një kohë të gjatë. Ngërçi aktual në dialog sjell ndikim të drejtpërdrejtë në siguri dhe rrezikon që çështjet politike të kthehen në çështje sigurie”, u shpreh gjenerali.
Ai theksoi se autoritetet serbe janë të vetëdijshme për vijat e kuqe dhe detyrimin për ta njoftuar KFOR-in për çdo aktivitet ushtarak pranë vijës kufitare administrative.
“Kjo ndihmon të parandalohet çdo keqkuptim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Në përgjithësi, ky mekanizëm vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive dhe jam i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit profesional që KFOR-i ka zhvilluar në këtë drejtim”, shtoi ai.
Barduani rikujtoi se prioritet i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe gatishmëria për të reaguar në rast të çdo kërcënimi serioz për sigurinë.
KAQPATA