
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se aktualisht po mbulon 83% të kërkesës ditore për energji elektrike në vend, duke prodhuar mbi 8,200 megavat orë (MWh) përmes njësive aktive në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Sipas njoftimit zyrtar, prodhimi aktual realizohet nga njësia B1 në “Kosova B” dhe njësia A5 në “Kosova A”, me një kapacitet total prej rreth 400 megavat në orë (MW/h). Kjo përbën një mbulim të konsiderueshëm të kërkesës së deklaruar nga KESCO për Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), e cila për këtë javë është 9856 MWh.
Ndërkohë, në njësinë B2 të “Kosova B” është duke u zhvilluar një projekt kapital rehabilitimi i turbinës, me vlerë mbi 56 milionë euro, që KEK e cilëson si investimin më të madh në këtë termocentral në më shumë se katër dekada.
“Ekipet tona profesionale janë duke punuar në mënyrë intensive edhe për rikthimin në funksion të një njësie tjetër të Termocentralit ‘Kosova A’ gjatë ditëve në vijim,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Ky veprim pritet të përmirësojë më tej sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset, në një periudhë kur qëndrueshmëria energjetike ka rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.
KEK ka përsëritur zotimin e saj për të vazhduar me investime në kapacitete prodhuese, rritje të efikasitetit energjetik dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm për konsumatorët në të gjithë territorin e Kosovës.
KAQPATA