Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë fituese në procesin e arbitrazhit ndërkombëtar kundër kompanive KEDS dhe KESCO, pas një kontesti për mosrealizimin e pagesave të energjisë elektrike.
Sipas vendimit të Tribunalit Ad Hoc të Arbitrazhit në Gjenevë, KEDS dhe KESCO obligohen t’i paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, përfshirë interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara gjatë periudhës 2020–2024.
Tribunali konfirmoi se KEK ka respektuar në tërësi marrëveshjen për furnizim me shumicë, ndërsa kompanitë private nuk kanë kryer pagesat në afat dhe nuk kanë paraqitur arsye të justifikueshme për vonesat.
Në vendim theksohet se KEK do të kompensohet edhe për shpenzimet e procedurës së arbitrazhit dhe përfaqësimit ligjor. Ky proces është zhvilluar në përputhje me rregullat ndërkombëtare UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
KEK e ka cilësuar këtë fitore si një “precedent të rëndësishëm ligjor dhe strategjik për sektorin energjetik të Kosovës”, duke falënderuar Avokaturën Shtetërore dhe ekipin ligjor ndërkombëtar për përkrahjen profesionale.
KAQPATA