
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur hapur kundërshtimin ndaj idesë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe atyre lokale në të njëjtën ditë.
Në një takim të zhvilluar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, përfaqësuesit e KDI-së kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me situatën aktuale politike në vend.
“Për ne si shoqëri civile, organizimi paralel i zgjedhjeve lokale dhe atyre të jashtëzakonshme parlamentare është i papranueshëm”, thuhet në deklaratën zyrtare të KDI-së, ku theksohet se një vendim i tillë mund të dëmtojë cilësinë dhe transparencën e procesit zgjedhor.
Instituti ka ritheksuar përkushtimin e vet për të ndihmuar në nxitjen e dialogut të hapur ndërmjet partive politike dhe qytetarëve, si dhe për të kontribuar në tejkalimin e bllokadës institucionale që po e pengon funksionalitetin demokratik të vendit.
Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani, pas takimeve të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile, ka deklaruar se vonesat në konstituimin e Kuvendit po e dëmtojnë kredibilitetin institucional të vendit dhe rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Presidentja Osmani u shpreh e gatshme që të mbetet e hapur për dialog me shoqërinë civile, me qëllim të ruajtjes së rendit demokratik dhe forcimit të institucioneve përfaqësuese të vendit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik për vendin, në të njëjtën ditë kur u shënua edhe dështimi i 27-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /KAQPATA/