
Edhe pse finalja e edicionit 2025 të Kupës së Botës për Klube ende nuk është zhvilluar, katër skuadra tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm që do të mbahet në vitin 2029.
Paris Saint-Germain do të përballet me Chelsean të dielën për të fituar titullin e parë në formatin e ri të turneut, mirëpo falë fitores në Ligën e Kampionëve 2025 ndaj Interit, kampionët e Francës e kanë siguruar biletën për 2029.
Përveç PSG-së, pjesëmarrjen në edicionin e vitit 2029 e kanë siguruar edhe Cruz Azul (Meksikë), fitues i Champions Cup të CONCACAF, Pyramids FC (Egjipt), fitues i CAF Champions League, si dhe Al-Ahli (Arabia Saudite), kampion i AFC Champions League Elite.
Format i ri, 32 ekipe dhe kualifikime të hershme
Edicioni i ri i FIFA Club World Cup do të mbahet çdo katër vjet dhe do të përfshijë 32 ekipe nga të gjitha konfederatat kontinentale, në një model të ngjashëm me Kupën e Botës për kombëtare.
- UEFA do të ketë 12 skuadra pjesëmarrëse, përfshirë fituesit e Ligës së Kampionëve nga sezoni 2024/25 deri 2027/28, si dhe 8 klube të tjera bazuar në renditjen katërvjeçare të UEFA-s.
- CONMEBOL do të përfaqësohet me gjashtë ekipe, katër prej të cilave janë kampionë të Copa Libertadores.
- CONCACAF, CAF dhe AFC do të kenë nga katër ekipe, ndërsa Oqeania një.
- Shteti organizator do të ketë një vend automatik në turne.
Ende nuk është përcaktuar vendi mikpritës për turneun e vitit 2029.
KAQPATA