Kanceri i mushkërive nuk fillon gjithmonë me kollë. Një nga simptomat që shpesh neglizhohet është lodhja e pashpjegueshme, e cila, nëse zgjat për një kohë të gjatë, duhet të merret seriozisht.
Sipas Cancer Research UK, lodhja kronike është një nga shenjat më të zakonshme të kancerit të mushkërive, sidomos në fazat e avancuara. Kjo shpesh shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, ndërsa grumbullimi i lëngjeve në trup mund ta rëndojë më tej gjendjen.
Simptomat kryesore të kancerit të mushkërive sipas NHS:
- Kollë që nuk largohet pas tre javësh
- Kollë e vazhdueshme që përkeqësohet
- Infeksione të përsëritura të frymëmarrjes
- Kollitje me gjak
- Dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes ose kollës
- Frymëmarrje e vështirësuar dhe e shpeshtë
- Humbje oreksi ose humbje peshe pa arsye
Simptoma më pak të njohura përfshijnë ndryshime në gishta (trashje e majave), si dhe vështirësi apo dhimbje gjatë gëlltitjes.
Kur të kërkoni ndihmë mjekësore?
Ekspertët këshillojnë që nëse shfaqni ndonjë nga këto shenja, të kërkoni menjëherë kujdes mjekësor. Diagnoza e hershme rrit ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm.
Edhe pse shumica e rasteve lidhen me pirjen e duhanit, kanceri i mushkërive prek edhe joduhanpirësit. Lënia e duhanit ul ndjeshëm rrezikun: pas 12 vjetësh rreziku bie mbi 50%, ndërsa pas 15 vjetësh afrohet me nivelin e jo-duhanpirësve.
Përveç kësaj, një dietë e balancuar dhe aktiviteti fizik i rregullt – të paktën 150 minuta në javë, si ecje ose çiklizëm, si dhe ushtrime për forcë dy herë në javë – ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit dhe uljen e rrezikut.
KAQPATA