Kanale të shumta në Telegram, që përdorin simbole ruse ose prezantohen si “zëri i Rusisë në Serbi”, kanë fokus kryesor Kosovën. Përmbajtjet e tyre shpesh delegjitimojnë institucionet kosovare, mohojnë pavarësinë e vendit dhe nxisin retorikë radikale, përfshirë thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Shumica e këtyre kanaleve u krijuan pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 dhe aktualisht kanë nga 10,000 deri mbi 80,000 ndjekës, të cilët shpërndajnë postimet çdo ditë. Postimet janë kryesisht pro-Rusi, kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në BE dhe kritikojnë bashkëpunimin me vendet perëndimore.

Sipas Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, Moska përdor këto kanale si “armë informacioni” që ndikojnë në perceptimin dhe bindjet e qytetarëve, duke i bërë ato të duket si teori konspirative në pamje të parë.
Kanalet shpesh punojnë të koordinuara për të përhapur një narrativ të caktuar. Për shembull, më 29 tetor kanali “Bunker” raportoi për grafite në Mitrovicën e Veriut që thonin: “Kosova është Serbi”, të cilat u shpërndanë brenda minutash nga kanale të tjera me mbi 130,000 ndjekës.

Narrativët kryesorë përfshijnë paraqitjen e serbëve si “viktima të terrorit” nga institucionet e Kosovës dhe delegjitimizimin e autoriteteve kosovare me terma ofenduese. Kanale si “Koridor” shpesh përdoren për të nxit linçim ndaj serbëve që punojnë në institucione kosovare dhe promovojnë bashkëjetesën.
Në përgjithësi, këto kanale janë pjesë e një strategjie më të gjerë të propagandës, duke shfrytëzuar anonimitetin dhe enkriptimin e Telegramit për të ndikuar mbi opinionin publik dhe tensionet në veri të Kosovës.
KAQPATA