
Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar fuqishëm përpara sfidës së madhe të Kombëtares shqiptare kundër Serbisë, që zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues për Botërorin 2026.

Pavarësisht interesimit të jashtëzakonshëm nga publiku për këtë ndeshje historike, një mungesë e ndjeshme do të jetë ajo e tifogrupit më të madh dhe më të zëshëm shqiptar – Tifozat Kuq e Zi. Ata kanë vendosur të bojkotojnë ndeshjen pas një përplasjeje me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, për shkak të mënyrës së shpërndarjes së biletave për tifozët e organizuar.
Përmes disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, ata kanë përcjellë mesazhe të forta dhe emocionale:
Nuk ka pajtim mbi gjakun e 13 mijë shqiptarëve”
“Fëmijët tanë nuk panë Evropian, panë luftë”
“Nderi nuk blihet me futboll”
“Historia nuk harrohet për një Evropian”
“Jo harresës, jo bashkëorganizimit me gjakatarin”
Ky qëndrim ka marrë përkrahje të madhe nga opinioni publik, sidomos për shkak të ngarkesës emocionale dhe historike që bart ndeshja me Serbinë.
Ndërkohë, përballja e sotme është e shoqëruar me masa të rrepta sigurie. Mbi 2,000 efektivë të Policisë së Shtetit janë mobilizuar për të garantuar rendin brenda dhe jashtë stadiumit.
Tifozat Kuq e Zi mund të mungojnë fizikisht në shkallët e stadiumit, por zëri i tyre duket se do të jetë më i fortë se kurrë – në ndërgjegjen e një kombi që nuk harron.