Banorët e lagjeve të banuara kryesisht nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Mitrovicën e Jugut raportojnë vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Shumë prej tyre thonë se mungesa e investimeve dhe vëmendjes së institucioneve ka krijuar kushte të vështira që nuk krahasohen me lagjet e tjera të qytetit.
Shefqet Krasniqi, i cili jeton në këtë lagje prej 13 vitesh, tregon se përmbytjet, problemet me kanalizime dhe mungesa e reagimit nga komuna e kanë bërë jetesën të rënduar. Ai rrëfen se çdo tre muaj përballet me derdhje uji në banjë dhe erë të rëndë në shtëpi, ndërsa investimet publike i përshkruan si “shumë pak e hiç”.
Krasniqi thotë se jetesa në një zonë të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit ka ndikuar edhe në mirëqenien e vajzës së tij, për të cilën shpreson të gjejë kushte më të mira diku tjetër.
Pakënaqësitë i ndan edhe banorja Jalldyze Isufaj, e cila jeton pa energji elektrike prej më shumë se dy muajsh. Ajo tregon se institucionet u kanë premtuar verifikime, por askush nuk ka dalë në terren.
Problemet e theksuara nga banorët janë të njëjta: mbeturina, qentë endacakë, mungesë investimesh dhe reagim i dobët institucional. Reshat Behluli, baba i dy fëmijëve, thotë se kushtet e dobëta e detyrojnë të kërkojë një jetë më të mirë për familjen e tij.

Gjatë një vizite të realizuar në tetor, parku i fëmijëve në lagje ishte i dëmtuar dhe fëmijët improvizonin lodrat, ndërsa disa prej tyre po pastronin vetë rrugët.
Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk është përgjigjur në pyetjet e adresuara lidhur me këto shqetësime. Pas zgjedhjeve të fundit lokale, drejtimin e komunës e ka marrë Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.
Situata është e ngjashme edhe në Fushë Kosovë, ku komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me sfida të shumta. Gëzim Hoti nga organizata VORAE thotë se, edhe pse lagjet atje janë më afër qendrës së qytetit, banorët ende nuk kanë qasje të plotë në ujë të pijshëm.
Organizatat që merren me të drejtat e këtyre komuniteteve kërkojnë desegregim të lagjeve, investime infrastrukturore dhe qasje të barabartë në shërbime. Sipas tyre, diskriminimi dhe mungesa e mundësive ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e shkollimit dhe punësimit.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë jetojnë rreth 16 mijë ashkalinj, 10 mijë egjiptianë dhe 9 mijë romë, por shumë prej tyre ende përballen me kushte që nuk përputhen me standardet e pjesës tjetër të shoqërisë.
KAQPATA
