
Aktorja amerikano-hondurase America Ferrera është një nga emrat më të njohur të Hollywood-it, e cila ka fituar famë me rolet në filmat Real Women Have Curves, serialin Ugly Betty dhe së fundmi në superhitin Barbie. Ajo është vlerësuar me çmime prestigjioze, përfshirë një Emmy dhe Critic’s Choice SeeHer Award, duke u bërë një zë i fuqishëm për gratë në industrinë e filmit.

Megjithatë, pas shkëlqimit të karrierës së saj, fshihet një histori e dhimbshme. Ferrera ka treguar hapur për sfidat e mëdha që ka kaluar: rritja me një nënë të vetme pasi babai e braktisi familjen, ndjenja e izolimit si vajzë latine në SHBA, si dhe përjetimi i një sulmi seksual në fëmijëri, të cilin e zbuloi publikisht gjatë lëvizjes #MeToo.
Edhe pas suksesit me Ugly Betty, Ferrera është përballur me pasiguri, paragjykime dhe stereotipe në Hollywood. Ajo ka treguar se shpesh ndihej e pavlerësuar, madje edhe në momentin kur fitoi Emmy në vitin 2007. Për më tepër, aktorja ka qenë viktimë e seksizmit pas lindjes së fëmijëve dhe ka parë projekte të rëndësishme të karrierës së saj të anulohen para kohe.

Në vitin 2020, humbja e krijuesit të Ugly Betty, Silvio Horta, e tronditi thellë, ndërsa periudha para rolit të saj në Barbieishte një nga më të vështirat, me mungesë projektesh dhe pritshmërish të thyera. Por rikthimi i saj në skenën ndërkombëtare me filmin e Greta Gerwig i dha Ferrerës jo vetëm një valë të re suksesi, por edhe njohjen që ajo kishte pritur prej kohësh.
Historia e Ferrerës është një dëshmi e forcës dhe këmbënguljes së saj për të triumfuar mbi sfidat personale dhe barrierat e industrisë së filmit.

KAQPATA