Pak ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur pakënaqësitë lidhur me kushtet e punës, por ka bërë të qartë se veprimet sindikale do të shtyhen deri në formimin e qeverisë së re.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se aktualisht nuk është e mundur të ketë greva apo protesta. “Vendim i Kongresit dhe i Këshillit Drejtues është që fillimisht të presim krijimin e institucioneve të reja. Do të provojmë me dialog dhe, nëse dialogu nuk jep rezultat, atëherë mbetet Këshilli të vendosë për veprimet sindikale, përfshirë edhe grevën e përgjithshme,” .
Sipas Jasharajt, edhe ligji për grevat kërkon që së pari të provohet dialogu, gjë që pa qeveri të re nuk mund të ndodhë. “Për momentin nuk ka as protesta e as greva, për shkak se s’ka qeveri,” theksoi ai.
Ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut janë nënshkrimi i kontratës së re kolektive, rritja e koeficientit të pagave dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës, si dhe përmirësimi i kushteve të punonjësve të arsimit.
Protesta e fundit e SBASHK-ut u mbajt më 4 dhjetor 2024, ku u kërkua rritje pagash dhe kontratë e re kolektive.
KAQPATA